Secondary Adv

Harta, Shqipëria mes vapës dhe zjarreve, Europa Perëndimore thyen rekordin e temperaturave

Shqipëria pati temperatura mbi mesataren, ndërsa Europa Perëndimore regjistroi një rekord të ri të nxehtësisë.

Shqipëria u përfshi në zonën e temperaturave mbi mesataren gjatë qershorit dhe korrikut 2026, ndërsa Europa Perëndimore regjistroi periudhën qershor–korrik më të nxehtë që nga nisja e të dhënave ERA5. Sipas Copernicus Climate Change Service, harta e anomalive e vendos Shqipërinë dhe një pjesë të Ballkanit Perëndimor mes zonave ku temperaturat e ajrit në sipërfaqe ishin mbi mesataren e periudhës 1991–2020.


Kushtet e nxehta dhe të thata favorizuan gjithashtu përhapjen e zjarreve. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, gjatë korrikut 2026 në Shqipëri u identifikuan 21 vatra zjarri me sipërfaqe mbi 1 hektar, që prekën gjithsej 476 hektarë. Vlora regjistroi tetë vatra me 306 hektarë të prekur, Shkodra shtatë vatra me 98 hektarë dhe Lezha dy vatra me 40 hektarë, ndërsa raste të tjera u evidentuan në Berat, Dibër, Gjirokastër dhe Tiranë. Gjatë muajit aktual, zjarre masive u regjistruan edhe në Krujë, Lurë, Pukë dhe Dajt, duke shkaktuar dëme në sipërfaqe pyjore, banesa dhe biznese.


Rekord i ri në Europën Perëndimore


Të dhënat e Copernicus tregojnë se temperatura mesatare e ajrit mbi tokë në Europën Perëndimore arriti 21.62°C gjatë qershorit dhe korrikut, ose 2.79°C mbi mesataren e viteve 1991–2020. Ky ishte niveli më i lartë i regjistruar për kombinimin e këtyre dy muajve dhe rreth 0.89°C mbi rekordin e mëparshëm të vitit 2022. Për korrikun, temperatura mesatare arriti 22.48°C, ose 2.53°C mbi mesataren, duke e renditur korrikun 2026 si të dytin më të nxehtë në rajon pas vitit 2006.


Copernicus evidenton se vitet e fundit dominohen nga anomali pozitive të temperaturave, në kontrast me një pjesë të madhe të viteve 1980 dhe 1990. Shifra prej 2.79°C i referohet zonës së klasifikuar si Europë Perëndimore, nga koordinatat 11°W–15°E dhe 37°–55°N, ndaj nuk përfaqëson një matje specifike për Shqipërinë.


Temperaturat jashtëzakonisht të larta në Europën Perëndimore vijuan që nga gjysma e dytë e majit dhe u shoqëruan me disa valë të njëpasnjëshme të të nxehtit. Franca, Spanja, Anglia, Irlanda, Gjermania, Zvicra dhe pjesë të Italisë ishin ndër zonat më të prekura. Në Francë, Gjermani, verilindje të Spanjës, Angli, Zvicër dhe pjesën perëndimore të Italisë, temperaturat e korrikut ishin përgjithësisht 3°C deri në 5°C mbi mesataren.


Europa ndahet mes perëndimit të nxehtë dhe lindjes më të freskët


Në të gjithë Europën, situata ishte më e moderuar për shkak të kontrastit mes perëndimit të nxehtë dhe temperaturave më të ulëta në lindje. Temperatura mesatare mbi tokën europiane në korrik ishte 20.49°C, ose 0.66°C mbi mesataren 1991–2020, duke e renditur korrikun 2026 si të 11-in më të ngrohtë në serinë ERA5. Pjesë të Europës Lindore dhe Skandinavisë regjistruan temperatura nën normë, ndërsa në perëndim sistemet e qëndrueshme të presionit të lartë favorizuan motin e kthjellët dhe të thatë dhe mbajtën ajrin e nxehtë mbi të njëjtat zona për periudha të gjata.


Korriku 2026, i dyti më i nxehtë globalisht


Në nivel global, temperatura mesatare e ajrit në sipërfaqe gjatë korrikut arriti 16.90°C, ose 0.67°C mbi mesataren e periudhës 1991–2020 dhe 1.47°C mbi nivelin e vlerësuar paraindustrial të viteve 1850–1900. Korriku 2026 u rendit, së bashku me korrikun 2024, si i dyti më i ngrohtë i regjistruar globalisht, pas rekordit të korrikut 2023. Mesatarja globale për 12 muajt nga gushti 2025 deri në korrik 2026 ishte 1.45°C mbi nivelin paraindustrial.


Rekorde u regjistruan edhe në oqeane. Temperatura mesatare e sipërfaqes së oqeaneve jashtë zonave polare arriti 20.96°C në korrik, niveli më i lartë i regjistruar për këtë muaj, duke tejkaluar rekordin prej 20.89°C të korrikut 2023. Sipas Copernicus, që nga 19 qershori temperatura mesatare ditore e këtyre ujërave kishte qenë më e larta e regjistruar për secilën ditë përkatëse të vitit. Temperatura rekord u evidentuan edhe në detet përreth Europës, veçanërisht përgjatë Atlantikut dhe në Mesdheun Perëndimor, ndërsa një pjesë e nxehtësisë së oqeaneve lidhet edhe me zhvillimin e kushteve El Niño në Paqësorin ekuatorial.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat